Berati po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të preferuara në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe turistëve nga e gjithë bota. Gazeta prestigjioze Le Monde e cilëson si një shembull të transformimit të Shqipërisë përmes turizmit masiv, duke vënë në pah rritjen e vizitorëve dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike.
The Sun e rendit Beratin ndër destinacionet e reja për pushime, falë çmimeve të përballueshme, ofertës së pasur kulturore dhe afërsisë me Mbretërinë e Bashkuar – vetëm tre orë larg. Conde Nast Traveller e përshkruan si një qytet të mrekullueshëm me shtëpi të bardha që i ngjajnë atyre të Puglias italiane, dhe e konsideron një ndalesë të domosdoshme për çdo udhëtar.
Edhe Lonely Planet vëren se, ndonëse Berati është bërë një qendër e rëndësishme turistike, ai ruan sharmin e tij të veçantë dhe atmosferën mikpritëse. Slow Travell sugjeron që çdo udhëtar të kalojë të paktën tri net në këtë qytet, ndërsa El Pais e quan Beratin “xhevahirin e fshehur të Ballkanit”.
Berati po njihet edhe për verërat cilësore: sipas La Revue du Vin de France, tre nga shtatë verërat më të mira shqiptare vijnë nga kantinat e Beratit – Çobo, Alpeta dhe Pupa. Çdo vit, qyteti mikpret Festivalin “Wine & Stories of Berat”, ku bashkohen kantina nga e gjithë Shqipëria.
Pamjet karakteristike të shtëpive me dritare të bardha të Beratit përdoren shpesh si imazhe përfaqësuese të Shqipërisë në artikuj dhe promovime ndërkombëtare, duke e bërë këtë qytet një simbol të turizmit shqiptar.
Me trashëgiminë kulturore 2400-vjeçare, mikpritjen tradicionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm, Berati vazhdon të rrëmbejë zemrat e vizitorëve dhe të fitojë vendin e merituar në hartën botërore të turizmit.