Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në një nga dhomat e konviktit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, duke përfshirë më pas pjesë të tjera të ndërtesës. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa flakët janë përhapur shpejt në zona të mëdha të konviktit. Forcat e zjarrfikëses, ambulanca dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin.
Për fat të mirë, nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme në nivel material. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Burime nga vendi i ngjarjes sugjerojnë se një qark i shkurtër elektrik mund të jetë shkaktari i shpërthimit të flakëve. Akoma nuk ka një raport zyrtar nga policia, por autoritetet po punojnë për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes.