Ulja e ndjeshme e temperaturave ka rikthyer borën në zonat malore të Shqipërisë. Reshjet e borës kanë vijuar gjatë ditës së dielë në qarkun e Kukësit, me trashësi që arrin nga 5 deri në 10 cm në lartësitë mbi 400 metra. Rruga e Kombit është e pastruar dhe pa shtresa dëbore, falë operacioneve të mjeteve borëpastruese që kanë hedhur kripë në akset nga Repsi në Morinë. Po ashtu, akset e tjera nacionale të rajonit verilindor janë të hapura, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes për shkak të mundësisë së ngricave gjatë natës, duke përdorur zinxhirë dhe goma dimërore.
Në qarkun e Kukësit, furnizimi me energji elektrike është normal, përveç lagjes Trull në Surroj, e cila ka pasur ndërprerje për shkak të djegies së një transformatori. Grupi i OSHEE po punon për riparimin e saj. Në Dibrën, bora ka mbuluar zonat deri në 700 metra lartësi, me trashësi prej 3-15 cm. Reshjet e borës kanë prekur gjithashtu zonat malore të Shkodrës, si Pukë, Malësi e Madhe, Vermosh, dhe aksin Qafë Thore-Theth, ku qarkullimi vijon normalisht.
Në juglindje të vendit, bora ka mbuluar zonat malore dhe urbane deri në lartësinë 700 m, përfshirë qytetet e Pogradecit dhe Korçës, ku bora ka rënë me intensitet mesatar. Situata, megjithatë, nuk ka shkaktuar probleme në qarkullim. Në Qafë Thanë, mjetet e kompanisë kontraktuese po pastruan aksin nga dëbora. Edhe reshjet e shiut në zonat e ulëta të vendit, si në bashkinë Lezhë, kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Ishullin e Lezhës, Vain, Shëngjin, dhe disa lagje të Laçit dhe fshatra të Mirditës.
Sipas Mbrojtjes Civile, lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave normale dhe nuk paraqesin rrezik.