Carlo Ancelotti dënohet me burg

Trajneri i njohur italian, Carlo Ancelotti, është dënuar me një vit burg nga drejtësia spanjolle për mashtrim tatimor, i cili daton nga viti 2014, gjatë periudhës së tij të parë te Real Madridi. Sipas vendimit të Gjykatës Provinciale të Madridit, Ancelotti ka shmangur tatime në vlerën e 1.06 milionë eurove për vitet 2014 dhe 2015.

Pavarësisht vendimit, trajneri aktual i kombëtares së Brazilit nuk do të përfundojë pas hekurave, pasi nuk ka precedentë penalë dhe ligji spanjoll parashikon që dënimet më të ulëta se dy vite për krime jo të dhunshme, mund të pezullohen. Ai është gjithashtu dënuar me një gjobë prej 386 mijë eurosh dhe me ndalim për të përfituar ndihma apo subvencione publike për një periudhë trevjeçare.

Ancelotti ka shpjeguar se nuk ishte në dijeni të ndonjë shkeljeje dhe se kishte ndjekur të njëjtin model kontrate si shumë lojtarë dhe trajnerë të tjerë në atë kohë, përfshirë edhe paraardhësin e tij, José Mourinho.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *