Çfarë po ndodh në Spanjë dhe Portugali? Black- Out total, kaos në aeroporte, hekurudha, spitale…

Spanja dhe Portugalia janë përballur me një ndërprerje totale të energjisë elektrike, që ka përfshirë të gjitha rajonet e gadishullit Iberik. Sipas raportimeve të El Mundo, edhe disa zona në jug të Francës janë prekur, për shkak të lidhjes së sistemeve elektrike me rrjetin spanjoll. Kaos është krijuar në aeroporte, hekurudha, spitale dhe institucione, ndërsa linjat telefonike janë ndërprerë në mbarë vendin.

Red Eléctrica, operatori kombëtar i sistemit elektrik, ka aktivizuar menjëherë planin e emergjencës për rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, zëvendëspresidentja dhe Ministrja e Tranzicionit Ekologjik, Sara Aagesen, ka vizituar qendrën e kontrollit të rrjetit për të ndjekur situatën nga afër. Ajo deklaroi se “do të merren të gjitha masat e nevojshme për rikthimin në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Red Eléctrica po analizon shkaqet e incidentit, duke përfshirë edhe mundësinë e një ngarkese të tepërt të sistemit, megjithëse rrjeti zakonisht mbahet në ekuilibër përmes menaxhimit dinamik të burimeve të gjenerimit. Në raste ekstreme, mund të shkëputen përkohësisht industritë elektro-intensive për të ruajtur stabilitetin e rrjetit.

Shkaqet zyrtare të ndërprerjes mbeten ende të paqarta dhe kompanitë kryesore të energjisë në Spanjë nuk kanë dhënë ende një sqarim të plotë. Autoritetet mbeten në gatishmëri për të menaxhuar situatën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *