Donald Trump priti të enjten Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë për bisedime mbi Ukrainën dhe Rusinë, tarifat dhe shpenzimet për mbrojtjen, duke nisur një takim që u pa gjerësisht si i suksesshëm, pasi kancelari gjerman doli nga takimi pa ndonjë përplasje – ndryshe nga sa kanë ndodhur zakonisht në takimet e Trump me liderë të tjerë të huaj.
Trump shprehu dyshime për suksesin e mundshëm të bisedimeve për paqe, duke thënë se ndoshta është më mirë të lejohet që Ukraina dhe Rusia “të luftojnë për pak kohë” në vend që të kërkohet menjëherë paqja. Ai e krahasoi konfliktin me “dy fëmijë të vegjël që zihen si të çmendur në një park”.
Trump tha gjithashtu se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe se i kishte bërë thirrje Putinit që të mos hakmerrej pas sulmit të paprecedentë me dron nga Ukraina fundjavën e kaluar. “I thashë: mos e bëj,” u tha ai gazetarëve.