Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë Inspektorin H. I., punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt, njofton A2 CNN.
Ngjarja ndodhi pas një telefonate të një qytetari në sallën operative mbrëmjen e djeshme, i cili pretendonte se dy policë e kishin ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë dhe kishin pasur një sjellje jo etike ndaj tij.
Pas verifikimit me testin e matjes së alkoolit, H. I. rezultoi me 0.82 mg/l, një nivel i lartë për drejtimin e automjetit.
Ndërkohë, për punonjësin tjetër të përfshirë, E. A., Oficer i Patrullës së Përgjithshme, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor.