Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Auckland të Zelandës së Re, ku policia arrestoi një 32-vjeçar të dyshuar për vjedhjen e një veze luksoze Fabergé, të zbukuruar me diamante dhe safirë, me vlerë rreth 19 300 dollarë. Hetuesit dyshojnë se ai e ka gëlltitur objektin për të fshehur provat, ndërsa veza ende nuk është gjetur.
Ngjarja u shënua në dyqanin “Partridge Jewellers”, ku policia reagoi menjëherë pas raportimit dhe prangosi të dyshuarin në vendngjarje. Veza “Octopussy” përmban 60 diamante, 15 safirë dhe një mini-oktapod prej ari të frymëzuar nga filmi i James Bond.
I arrestuari u dërgua për kontroll mjekësor dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa pritet të dalë para gjykatës më 8 dhjetor.