Eurostat: 42% e popullsisë së Shqipërisë jeton në varfëri!

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, Shqipëria renditet në krye të listës europiane për përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik për varfëri dhe përjashtim social. Rreth 42% e qytetarëve—më shumë se 1 milion persona—jetojnë në kushte të vështira ekonomike, duke e vendosur vendin përpara Rumanisë dhe Turqisë në këtë tregues shqetësues.

Eurostat përcakton këtë kategori si individë që nuk arrijnë të përmbushin të paktën 7 nga 13 nevoja bazë të jetesës, si pagimi i qirasë, mbajtja e shtëpisë ngrohtë, ushqimi i mjaftueshëm apo pushimet vjetore.

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka situatën më të rënduar. Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut (32.6%) dhe Serbia (30%) shënojnë përqindje më të ulëta. Ndërkohë, vendet me nivelin më të ulët të rrezikut për varfëri janë Çekia, Sllovenia dhe Hollanda.

Raporti evidenton se, pavarësisht rritjes ekonomike, përfitimet nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë, duke thelluar pabarazitë sociale. Ekspertët dhe organizatat sociale kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria për të përforcuar sistemin e mbrojtjes sociale dhe për të ndihmuar shtresat më të prekura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *