Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta qeveritare për kërkim dhe zhvillim (R&D) në Europë, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024. Vetëm 0.19% e PBB-së shqiptare, ose 40.9 milionë euro në vlerë absolute, janë alokuar për këtë sektor jetik – duke e pozicionuar vendin në vendin e parafundit në kontinent, përpara vetëm Rumanisë.
Në rajon, Serbia ka dyfishin e këtij treguesi (0.4% e PBB-së), ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 0.71%, me një total prej afro 128 miliardë euro të investuara nga buxhetet publike në R&D.
Ndërkohë, vendet e BE-së jo vetëm që shpenzojnë më shumë, por edhe kanë përshpejtuar ritmin e investimeve. Në 2024, fondet për kërkim dhe zhvillim ishin rreth 284.7 euro për banor – një rritje prej 57% krahasuar me 2014. Vendet që kryesojnë për investime për frymë janë Luksemburgu (759.2 euro), Danimarka (586.8 euro) dhe Holanda (542.7 euro), ndërsa në fund të listës janë Rumania, Bullgaria dhe Hungaria.
Të gjitha vendet e BE-së kanë rritur buxhetet e tyre për R&D në dekadën e fundit, me rritje të ndjeshme në vendet e Europës Lindore. Letonia, për shembull, ka rritur investimet për frymë me 313%, ndërsa Sllovenia dhe Lituania kanë përjetuar rritje përkatësisht prej 252% dhe 197%.
Për BE-në, 35.7% e fondeve janë dedikuar për avancimin e përgjithshëm të dijes, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes teknologjisë industriale, shëndetësisë, eksplorimit hapësinor dhe sektorëve të tjerë.