Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në rrjetin social “X” pas kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke e cilësuar këtë veprim si një praktikë unikale dhe të paprecedent në historinë e shteteve moderne.
Sipas kreut të qeverisë, kërkesa e përsëritur për rritje pagash, bërë dy herë brenda tre viteve, përbën një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe rrezikon të dëmtojë seriozitetin e Republikës së Shqipërisë.
“Kjo është një formë abuzimi madhor dhe shumëdimensional, që prek jo vetëm Kushtetutën, por edhe integritetin institucional të vendit. Është e papranueshme që një institucion kushtetues të vetëvendosë për pagat e veta, për më tepër në mënyrë të përsëritur,” u shpreh Kryeministri.
Rama kujtoi gjithashtu një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, të cilin qeveria e kishte pranuar me heshtje për hir të respektit institucional. “Uroj shumë që shakaja e hidhur e herës së parë të mos përsëritet. E pranuam si një lajthitje, por nuk mund të kthehet në precedent,” tha ai.
Në përmbyllje, kreu i qeverisë paralajmëroi se ekzekutivi do të kundërshtojë çdo përpjekje për abuzim me kompetencat dhe çdo cenim të rendit kushtetues.