Qeveria greke ka njoftuar masa më të rrepta ndaj emigracionit të paligjshëm, duke planifikuar eliminimin e një rregulli që u lejonte emigrantëve të parregullt të aplikonin për leje qëndrimi pas shtatë vitesh qëndrimi në vend.
Ministri i Migracionit, Makis Voridis, deklaroi se kjo dispozitë është abuzuar dhe theksoi se “askush që ndodhet ilegalisht në Greqi nuk do të legalizohet kurrë”. Sipas tij, çdo vit në vend hyjnë rreth 55,000–65,000 emigrantë të paligjshëm, ndërsa afërsisht gjysma e tyre përfitojnë azil.
Projektligji i ri, i miratuar nga kabineti dhe që pritet të kalojë në Parlament në muajin qershor, parashikon masa ndëshkuese më të ashpra, përfshirë dënime me burg deri në pesë vjet për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm, si dhe zgjatje të paraburgimit para deportimit deri në dy vjet, nga kufiri aktual prej 18 muajsh.
Në vitin 2024, autoritetet greke arrestuan 74,000 emigrantë të parregullt, por arritën të dëbojnë vetëm 2,500 prej tyre. Ministri Voridis u shpreh se një ndër pengesat kryesore në procesin e dëbimit është përdorimi i identiteteve të rreme nga emigrantët.
Nga ana tjetër, për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore dhe për të mbështetur nevojat e tregut, qeveria greke po përgatit rregullore të reja që do të inkurajojnë emigracionin e ligjshëm. Sipas të dhënave nga Banka e Greqisë, vendi ka nevojë për rreth 200,000 punëtorë. Këto rregullore pritet të prezantohen deri në korrik.