Forcat e policisë zhvilluan sot një operacion të gjerë në zonën e Fushë-Krujës, ku u ekzekutuan gjashtë masa sigurie të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Operacioni çoi në arrestimin e gjashtë personave dhe shpalljen në kërkim të katër të tjerëve, të dyshuar për ngritjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, emër i përmendur prej vitesh në disa dosje hetimore. Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Të arrestuarit janë:
Marvin Bushati
Agim Nina (alias Lorenc Izet Selmani)
Sokol Qaja
Gazmir Rraja
Përparim Rraja
Rexhep Rraja
Kontrollet u shtrinë në banesa, mjete dhe ambiente të tjera private, ku u sekuestruan prova që pritet të ndihmojnë në zgjerimin e hetimit ndaj aktivitetit të këtij grupi, i cili dyshohet se operonte brenda dhe jashtë vendit.
Sipas burimeve pranë organit të akuzës, hetimet kanë vijuar prej muajsh dhe grupi dyshohet se funksiononte me role të përcaktuara dhe veprimtari të koordinuar. Aksioni konsiderohet një tjetër goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve kriminale që veprojnë në zonën e Fushë-Krujës, një rajon i njohur për aktivitet të shtuar kriminal dhe i monitoruar prej kohësh nga SPAK dhe Policia e Shtetit.