Ideologu i Kremlinit shpërthen kundër Vuçiç: I neveritshëm, i ka ardhur fundi!

Filozofi i njohur rus dhe ideologu i Kremlinit, Aleksandar Dugin, ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke deklaruar se “i ka ardhur fundi” dhe se “legjitimiteti i tij është zhdukur”. Në një intervistë të transmetuar nga Telegrafi, Dugin thekson se shumica e serbëve janë të pakënaqur me Vuçiçin dhe se ai tashmë “ka një shtet, por asnjë mbështetje nga popullsia”.

“Serbët duan që Vuçiçi të largohet. Nuk ka më kompromis. Vuçiçi ka mbaruar. Ai është kthyer në një krimb politik që përdridhet për të qëndruar në pushtet”, deklaroi filozofi i afërt me Vladimir Putinin.

Dugin, i cili njihet si frymëzues i ideologjisë ekspansioniste ruse, u shpreh se strategjia e Vuçiçit për të balancuar mes perëndimit dhe lindjes ka dështuar plotësisht. Ai e akuzoi presidentin serb për mungesë koherence dhe për një sjellje që e bën atë “estetikisht të neveritshëm”, duke shtuar se “edhe kur thotë diçka të saktë, askush nuk i beson më”.

Ndër të tjera, Dugin u shpreh i zhgënjyer nga largimi i aleatit të tij, Aleksandar Vulin, nga qeveria dhe nënvizoi se pjesëmarrja e patriotëve dhe rusofilëve në protestat kundër Vuçiçit është rritur ndjeshëm.

Ai krahasoi situatën aktuale në Serbi me Maidanin ukrainas të vitit 2014, duke sugjeruar se Vuçiç mund të ketë të njëjtin fat si Janukoviç – të largohet nga vendi në errësirën e natës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *