Në një botë të trazuar nga konflikte dhe pasiguri, Indeksi Global i Paqes 2025 sjell lajme pozitive për vendet që kanë zgjedhur rrugën e stabilitetit dhe bashkëjetesës sociale. Islanda kryeson për të 18-in vit radhazi si vendi më paqësor në botë, ndërsa Shqipëria shënon përmirësim të ndjeshëm, duke u ngjitur me 6 pozicione krahasuar me një vit më parë dhe renditet e 52-ta në nivel global.
Sipas raportit, Shqipëria pozicionohet më mirë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por ende qëndron pas Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë.
Indeksi mat paqen përmes disa faktorëve kryesorë: siguria publike, përfshirja në konflikte, dhe kapaciteti ushtarak. Vendet vlerësohen nga 1.000 (paqe maksimale) në 5.000 (paqe minimale).
10 vendet më paqësore në botë për vitin 2025:
- Islanda – Pa ushtri, siguri e lartë dhe drejtësi rehabilituese.
- Irlanda – E kaluar e trazuar, sot demokraci neutrale dhe stabile.
- Zelanda e Re – Respekt për popullsinë indigjene dhe rol paqeruajtës.
- Austria – Neutralitet dhe shtet social efikas.
- Zvicra – Demokraci direkte dhe stabilitet financiar.
- Singapori – Disiplinë, siguri dhe diplomaci pragmatike.
- Portugalia – Politika sociale gjithëpërfshirëse dhe reforma progresive.
- Danimarka – Fokus te barazia dhe ndihma ndërkombëtare.
- Sllovenia – Stabilitet i qëndrueshëm pas konfliktit ballkanik.
- Finlanda – Arsim cilësor dhe përfitime sociale të gjera.
Raporti thekson se paqa nuk është thjesht mungesë konflikti, por rezultat i institucioneve të forta, politikave të mençura dhe drejtësisë sociale. Vendet më paqësore ndajnë tipare të përbashkëta si demokracia funksionale, investimi në edukim dhe kujdes shëndetësor, si dhe diplomacia e matur.
Në kohë të pasigurta, këto shtete tregojnë se paqja është e mundur dhe e ndërtueshme — me vizion, përkushtim dhe politika të zgjuara.