Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar sërish pas një vale sulmesh me raketa të kryera nga ushtria indiane ndaj territorit pakistanez. Sipas ushtrisë së Pakistanit, sulmet goditën qytetet Kotli, Bahawalpur dhe Muzaffarabad, duke shkaktuar tre viktima dhe 12 të plagosur, përfshirë civilë. Në Bahawalpur, një raketë goditi një xhami, ndërsa në Muzaffarabad u raportua ndërprerje e plotë e energjisë elektrike.
India konfirmoi nisjen e një operacioni të quajtur “Sindoor”, duke deklaruar se objektivi ishin baza të dyshuara terroriste dhe jo struktura ushtarake pakistaneze. Ministria e Mbrojtjes indiane theksoi se sulmet ishin të “sakta dhe të maturuara” dhe se ishin përgjigje ndaj një sulmi të ndodhur më 22 prill në Pahalgam, ku humbën jetën 26 persona – kryesisht turistë. Për këtë sulm, India fajëson militantët me lidhje në Pakistan.
Në përgjigje, forcat ajrore pakistaneze u ngritën në gatishmëri, ndërsa autoritetet theksuan se raketat indiane u lëshuan nga hapësira ajrore indiane. Gjenerali Ahmed Sharif Chaudhry paralajmëroi se Pakistani do të reagojë “në kohën dhe vendin që do të zgjedhë vetë”. Situata mbetet e tensionuar në rajonin e kontestuar të Kashmirit.