Një grup shkencëtarësh iranianë, përfshirë një anëtar të dyshuar të Organizatës së Kërkimit dhe Inovacionit në Mbrojtje (SPND), udhëtoi në mënyrë të fshehtë drejt Rusisë në vitin 2024, duke përdorur pasaporta diplomatike. Zbulimi vjen nga një hetim i gazetës “Financial Times”, që citon burime perëndimore dhe dokumente të siguruara përmes investigimit.
Delegacioni, i udhëhequr nga shkencëtari 43-vjeçar Ali Kalvand, vizitoi institute që merren me teknologji me përdorim të dyfishtë, përfshirë prodhimin e klystroneve dhe izotopeve si tritiumi – materiale që mund të shfrytëzohen në ndërtimin e armëve bërthamore. Një kompani ruse, Ritverc, thuhet se shprehu interes për të furnizuar materiale të ndjeshme si tritium, stroncium-90 dhe nikel-63.
Anëtarët e delegacionit paraqiteshin si përfaqësues të kompanisë DamavandTec, por disa prej tyre rezultojnë të lidhur me SPND dhe kompani të sanksionuara nga SHBA. Mes tyre ishte edhe një oficer i inteligjencës ushtarake iraniane dhe një ish-drejtues i përfshirë në prokurime të ndjeshme teknologjike.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se misioni synonte të ruante dhe zgjerojë kapacitetet e Iranit në teknologji të përdorshme për implozion bërthamor, ndërsa studiuesi David Albright e përshkroi këtë strategji si një formë të “paqartësisë bërthamore të llogaritur”.