Ish – presidenti i Brazilit në arrest, rrezikon deri në 40 vite burg

Një gjykatës i Gjykatës Supreme të Brazilit ka urdhëruar vendosjen në arrest shtëpiak të ish-presidentit Jair Bolsonaro, pasi ai theu ndalesën për përdorimin e rrjeteve sociale gjatë kohës që është nën hetim për tentativë për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 ndaj Luiz Inacio Lula da Silva.

Vendimi vjen pas publikimit online të një bisede mes Bolsonaros dhe djalit të tij Flavio, gjatë një tubimi, e shpërndarë nga aleatët e ish-presidentit, çka përbën shkelje të urdhrit gjyqësor që ndalon shpërndarjen e deklaratave të tij publike.

Gjykatësi Alexandre de Moraes e cilësoi veprimin si përpjekje për të sfiduar drejtësinë dhe urdhëroi që Bolsonaro të qëndrojë në banesën e tij në kryeqytetin Brazilia, pa të drejtë për të pritur vizitorë (përveç avokatëve), për të përdorur telefon apo rrjete sociale. Çdo shkelje e mëtejshme do të çojë në arrest të plotë.

SHBA reagoi menjëherë duke dënuar vendimin. Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes Byrosë për Çështjet e Hemisferës Perëndimore, kritikoi gjyqtarin Moraes si autoritar dhe i sanksionuar tashmë për shkelje të të drejtave të njeriut. Në deklaratën e publikuar në platformën “X” thuhej: “Lëreni Bolsonaron të flasë!”, ndërsa paralajmërohej ndëshkim për ata që bashkëpunojnë me veprime të sanksionuara.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi duke ndëshkuar financiarisht gjyqtarin Moraes, përfshirë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e aseteve në bankat amerikane.

Bolsonaro, 70 vjeç, akuzohet nga prokurorët brazilianë se ka organizuar një plan për të mos dorëzuar pushtetin pas humbjes në zgjedhje, por ky komplot dështoi pasi ushtria refuzoi të marrë pjesë. Ai tashmë është i përjashtuar nga jeta politike dhe mund të përballet me deri në 40 vjet burg, nëse shpallet fajtor në procesin që pritet të mbyllet brenda pak javësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *