Pas një sërë tërmetesh që kanë ndodhur në Santorini, deti në Izmir dhe shumë zona të tjera përgjatë bregut të Egjeut ka pësuar tërheqje të konsiderueshme. Mediat turke raportojnë se deti ka filluar të tërhiqet që nga 8 shkurti, duke arritur një tërheqje prej mbi 200 metrash në disa zona.
Deri sot, deti është tërhequr me më shumë se 300 metra në lagjen Çesme dhe portin e Alacatit, ndërsa niveli i ujit ka rënë me më shumë se gjysmë metri në rrethin Dikili dhe Bodrum, duke bllokuar disa varka. Ky fenomen ka alarmuar qytetarët, të cilët e kanë lidhur ngjarjen me tërmetet në Santorini.
Megjithatë, ekspertët kanë sqaruar se tërheqja e ujit nuk ka lidhje me aktivitetin sizmik, por është shkaktuar nga erërat e forta veriore që arrijnë shpejtësi deri në 60-70 km/h. Prof. Mehmet Çavuşoğlu dhe Prof. Dogan Yaşar, anëtarë të Akademisë Turke të Shkencave, kanë theksuar se ky fenomen është një proces natyror dhe nuk ka arsye për shqetësim.
Për shkak të tërheqjes, disa ishuj të rinj janë formuar në bregdetin pranë Marmaris dhe në plazhet e Uzunyali dhe Icmeler. Fenomeni është vënë re gjithashtu në Silivri, pranë Stambollit, dhe në rajonet Balikesir dhe Didim. Ekspertët parashikojnë se ky proces natyror do të vazhdojë deri të mërkurën, duke theksuar se nuk ka rrezik për ndonjë ndryshim të madh në nivelin e ujit.