Pas një vale intensive sulmesh kundër Iranit, Izraeli ka vendosur të mbyllë përkohësisht të gjitha ambasadat e tij në mbarë botën, përfshirë edhe Ambasadën izraelite në Tiranë. Në një njoftim zyrtar, ambasada bëri me dije se janë pezulluar të gjitha shërbimet konsullore, pa dhënë një afat për rikthimin në funksionim.
Autoritetet izraelite u kanë bërë thirrje qytetarëve jashtë vendit të tregojnë kujdes të shtuar, duke shmangur shfaqjen e simboleve hebraike apo izraelite në vende publike, për shkak të rrezikut në rritje. Gjithashtu, izraelitët jashtë vendit duhet të plotësojnë një formular të posaçëm për të informuar Ministrinë e Jashtme mbi vendndodhjen e tyre, në mënyrë që të lehtësohet organizimi i fluturimeve emergjente për kthim në atdhe.
Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se vendi duhet të përgatitet për sulme të vazhdueshme në ditët në vijim. Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, janë përdorur rreth 200 avionë luftarakë dhe mbi 330 municione për të goditur më shumë se 100 objektiva në të gjithë territorin iranian.
Netanyahu njoftoi gjithashtu në platformën “X” se do të zhvillojë telefonata me liderët Donald Trump, Keir Starmer dhe Vladimir Putin në lidhje me situatën.