Komisioni Rregullator ka përfunduar mbledhjen, ku u diskutua mbi specifikimet e fletës së votimit për zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë mbledhjes, u ra dakord vetëm për karakteristikat e fletës që do të përdoren brenda vendit.
Fleta e votimit do të ketë ngjyrë dhe trashësi që do të pengojnë leximin e shkrimit nga ana e pasme, duke përfshirë kode identifikues si QR kodi, që nuk duken me sy të lirë.
Dimensionet e fletës do të përcaktohen më vonë, pas regjistrimit të subjekteve zgjedhore.
Fleta do të jetë letër e thurur me dy shtresa, përmban fibra karboni të dukshme dhe dendësia e saj nuk do të jetë më e vogël se 90 gr për metër katror.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte vota e diasporës, për të cilën nuk u mor një vendim përfundimtar. Përdorimi i shenjës dalluese “VJ” u konsiderua i paqartë dhe do të vendoset një vendim tjetër në një mbledhje të mëvonshme.