Në datat 8–10 tetor 2025, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike. Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash, që parashikon kufizime të qarkullimit në disa zona kryesore të kryeqytetit.
Rrugët që do të bllokohen për automjetet:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë edhe vetë sheshin);
Aksi që lidh hotelin “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Për këmbësorët:
Do të mbyllet trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve, gjatë gjithë zhvillimit të konferencës.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor deri në 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këto zona, si dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë dhe sinjalistikën rrugore.