Konfirmohen rastet e para të gripit, ISHP jep paralajmërimet

Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar identifikimin e rasteve të para të gripit për këtë sezon.

Sipas institucionit, në qarkullim aktualisht është konstatuar virusi i gripit të tipit A, përfshirë nën-tipin AH1N1, një situatë që përkon edhe me prirjet e regjistruara në disa shtete europiane. Rastet e evidentuara deri tani paraqesin simptomat tipike të gripit, si temperaturë e lartë, sekrecione nazale dhe vështirësi në frymëmarrjen e sipërme.


Në këtë periudhë vijojnë të mbizotërojnë infeksionet me Covid-19 dhe virozat e tjera stinore. Me afrimin e stinës së ftohtë, pritet që numri i rasteve me grip të rritet, duke qarkulluar paralelisht me virusin Covid.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik nënvizojnë rëndësinë e vaksinimit kundër gripit, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Sezoni i qarkullimit të gripit zakonisht shtrihet nga fundi i nëntorit deri në fund të marsit, ndërsa kulmi i përhapjes vërehet më shpesh gjatë muajve janar dhe shkurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *