Konispoli shpallet Ansambël Historik

Qeveria shqiptare ka shpallur qytetin e Konispolit “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke e njohur zyrtarisht si një qendër me vlera të veçanta historike, kulturore dhe arkitektonike. Vendimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave synon mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e kësaj zone të veçantë në jug të Shqipërisë.

Me ndërtesa tradicionale që datojnë nga shekujt XIX–XX, rrugica me kalldrëm, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë me gurë të punuar dhe lagje me emra fisesh, Konispoli ruan një identitet unik urban. Zona përfshin gjithashtu vendbanime antike si ato në Qafën e Ktismave, që dëshmojnë për një trashëgimi të pasur dhe të vazhdueshme.

Konispoli ka qenë historikisht një vatër e rëndësishme rezistence dhe kulture kombëtare, dhe ky status i ri synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë.

Ky vendim është rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe bazohet në Ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i cili garanton ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me rëndësi historike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *