Krishtlindja, festa që sjell dashuri, shpresë dhe paqe


Krishtlindja përbën një nga festat më të rëndësishme për miliona besimtarë të krishterë në mbarë botën, të cilët e besojnë Jezus Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. Çdo 25 dhjetor përkujtohet lindja e Krishtit, një ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit.


Sipas besimit të krishterë, lindja e Jezusit shënon mishërimin e Perëndisë, i cili u bë njeri dhe lindi si një foshnjë e përulur në një grazhd. Ky moment konsiderohet fillimi i një akti të madh dashurie hyjnore, përmes të cilit Zoti i afrohet njerëzimit për ta shpëtuar nga mëkati. Historia e shpëtimit kulmon më pas me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, të përkujtuara në Pashkë.


Rrëfimi i Krishtlindjes mbetet një nga më domethënësit në Bibël: një virgjëreshë që sjell në jetë Shpëtimtarin, barinj që marrin lajmin nga engjëjt dhe shkojnë për ta adhuruar, si dhe tre dijetarë nga Lindja që udhëtojnë për t’i sjellë dhurata Mbretit mbi mbretër.


Në thelb, Krishtlindja mbart katër mesazhe kryesore: dashurinë, gëzimin, shpresën dhe paqen. Sipas Shkrimit të Shenjtë, këto vlera burojnë nga dhurata më e madhe që i është dhënë ndonjëherë njerëzimit – Jezusi Krisht.

Përmendja më e hershme e kësaj date (25 dhjetor) si dita e lindjes së Jezusit gjendet në një almanak romak të shekullit të katërt. Studiues të krishterë besojnë se data u përcaktua duke u bazuar në llogaritjen e kohës nga vdekja e Krishtit.

Në ditët e sotme, Krishtlindja festohet edhe me një dimension më modern. Që nga shekulli XX, ajo është shndërruar pjesërisht në një festë me karakter komercial, ku shkëmbimi i dhuratave dhe figura e Babagjyshit të Vitit të Ri janë bërë pjesë e pandashme e festimeve, veçanërisht për fëmijët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *