Emri i Kristjan Asllanit vijon të mbetet një kryefjalë për shumë klube brenda dhe jashtë Italisë.
Interes për mesfushorin shqiptar, kohët e fundit, ka treguar skuadra e West Ham që prej kohësh e ka monitoruar futbollistin zikaltër. InterNews.it shkruan se pavarësisht interesit të shumë klubeve, Kristjan Asllani mbetet pjesë e projektit të Interit edhe në të ardhmen.
Pas dëmtimit të Hakan Çalhanoglu, mesfushori i kombëtares shqiptare ka fituar besimin e trajnerit Inzaghi, ndonëse u kritikua shumë kundër Milanit në Superkupë apo Bolonjës në Meazza, por dukshëm me paraqitjet e tij në ndeshjet e fundit është rritur fizikisht dhe ka fituar siguri në fushë, shkruan A2.
Zikaltërit e konsiderojnë pjesë të projektit, por kjo nuk do të thotë se nuk do të vlerësojnë oferta të tjera në merkaton e verës.
Këtë sezon, Kristjan Asllani është aktivizuar në 21 ndeshje me fanellën zikaltër, ka shënuar 1 gol dhe ka dhuruar dy asist. Kontrata e tij me klubin zikaltër skadon në qershor të vitit 2028.