Krizë diplomatike, tensionohen marrëdhëniet mes Francës dhe Italisë

Marrëdhëniet mes Italisë dhe Francës janë tensionuar sërish. Qeveria franceze ka thirrur ambasadoren italiane në Paris, Emanuela D’Alessandro, pas deklaratave të forta të zëvendëskryeministrit Matteo Salvini ndaj presidentit Emmanuel Macron. Lajmi u bë i ditur nga agjencia AFP, duke cituar burime diplomatike.

Shkak: fjalët e Salvinit për Ukrainën

Zemërimi i Elizesë shpërtheu pas ironisë së fundit të Salvinit ndaj idesë së Macron për dërgimin e trupave në Ukrainë:

“Shko ti vetë. Vish kasketën, jelekun, pushkën dhe shko në Ukrainë”, – deklaroi ai, duke kundërshtuar hapur presidentin francez.

Ky nuk është sulmi i parë i liderit të Ligës kundër Macron. Në të kaluarën, ai e ka quajtur atë “hipokrit”, “kriminel”, “i dhënë pas shampanjës” dhe madje “i çmendur që flet për luftë bërthamore”.

Reagimi i Parisit

Në mungesë të një sqarimi nga qeveria italiane nëse Salvini fliste në emër të saj, Franca vendosi të veprojë zyrtarisht, duke thirrur ambasadoren italiane. Sipas burimeve diplomatike, Parisit i është dukur e papranueshme qëndrimi i Salvinit, i cili – sipas tyre – dëmton klimën e besimit dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në lidhje me Ukrainën.

Pozicioni i Melonit

Deklaratat e Salvinit erdhën në një moment delikat, teksa kryeministrja Giorgia Meloni ndodhej në Uashington përkrah Macron, në mbështetje të përpjekjeve diplomatike për Ukrainën. Kjo e vendos Melonin përballë një dileme: të distancohet nga partneri i saj i koalicionit, duke rrezikuar tensione të brendshme, ose të heshtë, me rrezikun e prishjes së marrëdhënieve me Francën.

Deri më tani, Meloni ka zgjedhur të mos reagojë drejtpërdrejt, ndërsa ministri i Jashtëm Antonio Tajani ka bërë thirrje për më shumë përmbajtje nga Salvini.

Një krizë e re mes Romës dhe Parisit

Gjuha e ashpër e Salvinit ka prodhuar tashmë një tjetër krizë diplomatike mes Italisë dhe Francës, duke rihapur një kapitull të tensionuar në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *