Ftohti mund të jetë shumë i rrezikshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
Temperaturat e ulëta mund të shkaktojnë ishemi kardiake, duke rritur rrezikun për një atak në zemër.
Ndikimi i temperaturave të ulëta te shëndeti i zemrës:
Kur trupi ekspozohet në një mjedis të ftohtë, ai përpiqet të ruajë temperaturën e tij të brendshme përmes disa ndryshimeve fiziologjike. Ky proces është më i vështirë për individët që vuajnë nga probleme kardiovaskulare. l ftohti mund të shkaktojë një rritje të ritmit të zemrës, tension të lartë të gjakut, sforcim të zemrës dhe rrezik më të madh për trombozë.
Ata që vuajnë nga sëmundje të zemrës, është e rëndësishme të ndjekin këto pesë këshilla:
1.Ruhuni nga i ftohti!
Përpiquni të qëndroni sa më pak jashtë në ambiente të ftohta. Nëse është e nevojshme të dilni, sigurohuni që të vishni rroba të ngrohta, duke filluar nga koka deri te këmbët.
2.Mos e stërmundoni veten!
Aktiviteti fizik në ajër të ftohtë mund të ketë efekte të dëmshme për zemrën. Përdorni kujdes dhe shmangni stërmundimin në kushte të tilla.
3.Mos e teproni me veshjen dhe aktivitetin fizik.
Veshja tepër e ngrohtë dhe aktiviteti fizik mund të sforcojnë zemrën, duke shkaktuar zgjerim të papritur të enëve të gjakut dhe ulje të tensionit. Një shenjë rreziku është djersitja e tepërt kur jeni jashtë.
4.Kujdes nga gripi!
Gripi mund të përkeqësojë problemet kardiovaskulare. Përpara se të merrni medikamente, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun tuaj.
5.Shmangni alkoolin!
Alkooli mund t’ju bëjë të ndiheni të ngrohtë duke zgjeruar enët e gjakut në lëkurë, por ai gjithashtu mund të largojë nxehtësinë e nevojshme nga organet jetësore, duke i ekspozuar ato ndaj rrezikut.