Kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë për mediat se vendimi i Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku nuk do të ndikojë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Rama tha se kërkesa e prokurorisë nuk përmbushte kushtet minimale për t’u shqyrtuar dhe kritikoi interpretimet që e lidhin këtë vendim me pengimin e reformës në drejtësi apo të rrugës drejt BE-së, duke i quajtur ato një “lexim pervers”. Ai theksoi se Shqipëria do të vijojë pa pengesa drejt anëtarësimit të plotë në familjen europiane.
“Kërkesa nuk përmbushte as kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë. Ndërkohë, ajo tendenca për t’i dhënë përmasën e një fakti që do të bllokonte rrugën e Shqipërisë në BE, apo do të pengojë reformën në drejtësi, është një përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato përbërës që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet”, tha Rama.