Universiteti i Bernës dhe Instituti i Arkeologjisë kanë konfirmuar se vendbanimi prehistorik në Lin të Pogradecit është më i vjetri me palafite i zbuluar deri më sot në Europë. Sipas të dhënave të reja, ky vendbanim i jashtëzakonshëm daton në periudhën mes viteve 6,000 – 4,000 para erës sonë.
Rezultatet e gërmimeve arkeologjike të zhvilluara gjatë katër viteve të fundit nga arkeologë shqiptarë dhe ekspertë zviceranë kanë treguar se mosha e vendbanimit shkon deri në mbi 8,500 vjet. Kjo e bën Linin jo vetëm një pasuri të rëndësishme kombëtare, por edhe një pikë referimi për historinë e qytetërimeve të hershme europiane.
Gërmimet kanë zbuluar struktura të rëndësishme si llogore tokësore, qindra shtylla druri të përdorura për ndërtimin e banesave mbi ujë, si dhe shtresa qeramike me dekorime impresive – një nga teknikat më të hershme të poçarisë. Gjithashtu, janë gjetur edhe grumbuj të mëdhenj pishash që mendohet të jenë mbetje të shtëpive të dikurshme.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm është përputhja e datimeve të unazave të pemëve në sitin e Linit me ato të liqenit të Ohrit, çka ndihmon në ndërtimin e një kronologjie më të saktë të zhvillimit të vendbanimeve në këtë rajon.
Ky zbulim historik përforcon rolin e Linit si një pasuri unike kulturore dhe arkeologjike jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën.