Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur të pezullojë pa afat të gjitha marrëdhëniet juridike me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. Ky vendim u miratua unanimisht nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, e mbajtur të mërkurën në Tiranë.
Përplasja mes dy institucioneve rrjedh nga procesi zgjedhor i zhvilluar në KOKSH në vitin 2021, ku u zgjodh president Fidel Ylli. FSHF e ka kontestuar këtë proces dhe e ka dërguar çështjen në CAS, e cila i dha të drejtë federatës shqiptare të futbollit duke shpallur të pavlefshme vendimmarrjet e asaj Asambleje. Megjithatë, FSHF thotë se vendimi nuk është zbatuar ende.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Envi Hicka, theksoi se pezullimi i marrëdhënieve me KOKSH do të qëndrojë në fuqi derisa të rikthehet ligjshmëria, të zbatohet vendimi i CAS dhe KOKSH të veprojë në përputhje me statutin dhe standardet ndërkombëtare të vetëqeverisjes në sport.
FSHF kërkon gjithashtu mbështetjen e anëtarëve të saj për të vijuar përpjekjet juridike dhe publike në funksion të rivendosjes së rendit institucional brenda KOKSH, të cilin e akuzon për veprimtari arbitrare dhe ndikim politik.