Mbretëria e Bashkuar do të zbatojë masa të reja për të luftuar obezitetin, që po rëndon gjithnjë e më shumë mbi sistemin shëndetësor. Sipas një plani 10-vjeçar, supermarketet do të detyrohen të ulin mesatarisht 100 kalori nga shporta e blerjeve, duke reduktuar shitjet e ushqimeve të ëmbla dhe të kripura dhe duke nxitur ato më të shëndetshme.
Shitësit me pakicë do të kenë liri të zgjedhin strategjinë: zbritje për produkte të shëndetshme, bonuse për ushqime me pak kalori, ose ndryshim recetash për vaktet e gatshme. Ata që nuk arrijnë objektivat, mund të përballen me gjoba. Dy zinxhirët më të mëdhenj, Tesco dhe Sainsbury’s, e mbështesin masën.
Ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, theksoi se mbipesha i kushton NHS-së 11 miliardë paund në vit dhe rrezikon ta bëjë atë të paqëndrueshme. Britania renditet e treta në Europë për obezitetin dhe qeveria beson se edhe një ulje prej 50 kalorish në ditë mund të bëjë diferencë të madhe.
Megjithatë, masat janë kritikuar nga opozita konservatore dhe një pjesë e sektorit tregtar, që i konsideron si rregulla “drakoniane”. Sërish, mbështetja publike mbetet e lartë, ndërsa libri i fundit i mjekut Chris van Tulleken kundër ushqimeve ultra të përpunuara ka forcuar ndërgjegjësimin shoqëror mbi rrezikun që paraqet ushqimi i dëmshëm.