Luftërat tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj më të mëdhenj ekonomikë, përfshirë Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, po thellohen. Tarifat e larta të SHBA-së ndaj këtyre vendeve hynë në fuqi, duke shkaktuar kundërpërgjigje të shpejta. Kina ka paralajmëruar se do të luftojë deri në fund përmes tarifave të reja, ndërsa Kanadaja dhe Meksika janë goditur nga taksat e vendosura për shkak të mosmarrëveshjeve për imigracionin dhe trafikun e drogës. Ekspertët paralajmërojnë se këto masa do të ndikojnë negativisht në ekonominë e SHBA-së dhe do të prishin zinxhirët e furnizimit për sektorët kryesorë.
Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja për një sërë importesh bujqësore nga SHBA-ja javën e ardhshme, duke shtuar se tarifa shtesë prej 15% do të vendosen për pulën, grurin, misrin dhe pambukun, tarifa të tjera 10% për sojë, mish derri, viç, frutat, perimet dhe produktet e qumështit.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se Otava do të përgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25% për importet amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë.