Ministri i Mbrojtjes së Izraelit: Do të ndërtojmë shtet hebre në Bregun Perëndimor

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel KatzIsrael Katz, ka deklaruar se synimi i vendit të tij është ndërtimi i një “shteti hebre izraelit” në Bregun Perëndimor – deklaratë kjo që vjen një ditë pas miratimit nga Qeveria izraelite të krijimit të 22 vendbanimeve të reja në këtë territor të pushtuar palestinez.

Gjatë një vizite në vendbanimin Sa-Nur në veri të Bregut Perëndimor, Katz theksoi se ky vendim përbën një reagim të ashpër ndaj, siç i quajti ai, “organizatave terroriste”, si dhe një përgjigje për presidentin francez Emmanuel Macron dhe vendet që mbështesin njohjen e një shteti palestinez. “Ata mund të njohin një shtet palestinez në letër, por ne do të ndërtojmë një shtet hebre këtu, në këtë tokë”, u shpreh ai.

Këto komente dhe vendimi për zgjerim të vendbanimeve kanë ngjallur reagime të forta ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara i cilësojnë vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme dhe si pengesë për një paqe të qëndrueshme. Britania e Madhe e ka quajtur vendimin e fundit “një pengesë të qëllimshme” ndaj procesit për shtetësi palestineze, ndërsa zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së e ka përshkruar si një hap që çon “në drejtimin e gabuar” për zgjidhjen me dy shtete.

Ndërkohë, presidenti Macron, gjatë një vizite në Singapor, ka deklaruar se njohja e një shteti palestinez është “jo vetëm një obligim moral, por edhe një domosdoshmëri politike”. Franca pritet të shqyrtojë një vendim për njohjen e Palestinës gjatë muajit qershor, ndërkohë që në të njëjtin muaj do të mbahet në Nju Jork një konferencë ndërkombëtare e OKB-së për zgjidhjen me dy shtete.

Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967, dhe vendbanimet që po zgjerohen aktualisht janë ndërtuar në territore që komuniteti ndërkombëtar i konsideron palestineze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *