Mbledhja e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, e parashikuar për shqyrtimin e buxhetit të vitit të ardhshëm në sektorin e Shëndetësisë, Mbrojtjes Sociale dhe çështjeve të barazisë gjinore, u ndërpre sot nga kryetarja Jorida Tabaku. Arsyeja: mungesa e Ministres së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Evis Sala, e cila nuk ishte e pranishme në një nga diskutimet më të rëndësishme të vitit parlamentar.
Edhe pse ministria ishte përfaqësuar nga zëvendësministrat, Tabaku refuzoi vijimin e seancës, duke theksuar se debati për buxhetin kërkon domosdoshmërisht praninë e vetë ministres. Ajo kritikoi mungesën e Salës, duke kujtuar se përgjegjësia përballë Kuvendit është thelbësore, veçanërisht në një sektor që e cilësoi “problematik”.
“E kuptoj që është e re në detyrë, por ministrja duhet të respektojë Kuvendin dhe procesin e buxhetit,” deklaroi Tabaku, duke shtuar se nuk pranon që një temë kaq e rëndësishme të diskutohet vetëm me drejtorë apo zyrtarë të nivelit më të ulët.
Mbledhja u shty deri në rikthimin e Komisionit me praninë e Ministres Sala.