Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë ka akuzuar Serbinë për furnizim të fshehtë të Ukrainës me municione dhe armatime, duke e konsideruar këtë një “akt tradhtie” dhe “goditje pas shpine ndaj popujve sllavë”.
Në një deklaratë me tone të ashpra, Moska pretendon se kompanitë serbe të mbrojtjes kanë vazhduar të dërgojnë municione në Ukrainë, pavarësisht qëndrimit zyrtar të Beogradit për neutralitet ushtarak.
Sipas inteligjencës ruse, këto dërgesa janë realizuar përmes përdorimit të certifikatave të rreme të përdoruesit fundor, ku si vendet përfundimtare paraqiten shtete të NATO-s si Polonia, Çekia dhe Bullgaria. Raporti përmend raketa, municione artilerie dhe mbi një milionë fishekë që supozohet se janë dërguar për forcat ukrainase.
“Ato nuk janë ndihma humanitare, por mjete për të vrarë ushtarë dhe civilë rusë,” thuhet në deklaratën ruse, ku përmenden dhe me emër kompanitë serbe të përfshira në këtë që Moskës i duket si “rrip transportues i vdekjes”.
Rusia shpreh zhgënjimin e thellë për atë që e quan harresë të miqësisë historike mes dy vendeve, duke përmendur kontributin rus në mbështetje të Serbisë në momente të rëndësishme të historisë, si çlirimi nga Perandoria Osmane, luftërat botërore, bombardimet e NATO-s dhe çështja e Kosovës.
Tensionet mes dy vendeve vijnë menjëherë pas vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Moskë, ku ai mori pjesë në aktivitetet për Ditën e Fitores dhe u takua me presidentin Vladimir Putin. Takimi kishte në fokus edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.