Vjeshta duket se u rikthye sërish me motin karakteristik dhe vendi pritet të përballet me reshje shiu që nisin nga e enjtja në mesditë, fillimisht në jug të Shqipërisë. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, të premten reshjet do të përfshijnë pothuajse gjithë territorin.
Meteorologët paralajmërojnë reshje mesatare me shtrëngata në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Gjirokastër dhe Vlorë. Në pjesën tjetër të vendit priten reshje më të pakta.
Tirana do të zgjohet me shi të lehtë të premten në mëngjes, që do të vazhdojë deri në mesditë, ndërsa pasdite reshjet do të jenë më të izoluara.
Fundjava do të sjellë përmirësim gradual të kushteve atmosferike. Të shtunën, reshjet do të pushojnë në disa zona, përfshirë edhe kryeqytetin, ndërsa në jug mund të ketë ndonjë rrebesh të dobët lokal. Të dielën pritet stabilizim i motit dhe rikthim i ditëve me diell në pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat do të shënojnë rritje të lehtë me rreth 2°C deri të dielën — deri në 10°C në Tiranë dhe zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore termometri do të zbresë në rreth 6°C.