Në prag të fillimit të shkollës, Ministria e Arsimit prezanton Kodin e Etikës për mësuesit

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi Kodin e ri të Etikës për Mësuesit, një dokument që vendos standarde të qarta profesionalizmi, integriteti dhe bashkëpunimi në marrëdhëniet mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi se Kodi i Etikës shkon përtej kuadrit administrativ, duke u ndërtuar përmes një procesi gjithëpërfshirës ku janë dëgjuar mësuesit, drejtuesit, prindërit dhe aktorët kryesorë të arsimit. “Ky kod është një udhërrëfyes dhe një busull morale dhe profesionale për çdo mësues shqiptar. Ai bashkon traditën e respektit ndaj mësuesit me standardet më të mira europiane të etikës dhe integritetit,” u shpreh Manastirliu.

Kodi i Etikës bazohet në tre shtylla kryesore:

Integriteti profesional dhe personal i mësuesit

Siguria dhe mirëqenia e nxënësve

Përfshirja, transparenca dhe marrëdhënia me prindërit dhe komunitetin

Dokumenti përfshin edhe rregulla të qarta për etikunë në rrjetet sociale, duke theksuar rolin e mësuesit si figurë publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Ai adreson gjithashtu parandalimin e dhunës dhe bullizmit brenda dhe jashtë shkollës, duke vendosur mësuesin si pjesë aktive e mekanizmave të sigurisë.

Ministrja Manastirliu përmbylli prezantimin duke theksuar se Kodi i Etikës i jep mësuesit një rol udhëheqës jo vetëm brenda klasës, por edhe në komunitet. “Ky dokument garanton që shkolla të formojë jo vetëm profesionistë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm e të barabartë,” tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *