Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, ku i kërkon që të falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, aktualisht në gjyq për korrupsion.
Në letrën e tij, Trump e quan këtë një “kohë historike” për Izraelin, duke theksuar se së bashku me Netanyahun kanë arritur “paqen që është kërkuar për të paktën 3,000 vjet”.
“Me këtë letër ju bëj thirrje ta falni plotësisht Benjamin Netanyahun, një kryeministër i fuqishëm dhe vendimtar në kohë lufte, që tani po e udhëheq Izraelin drejt paqes”, shkruan Trump, duke përmendur edhe rolin e tij në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit në Lindjen e Mesme.
Edhe pse thotë se “respekton pavarësinë e sistemit izraelit të drejtësisë”, Trump e cilëson procesin ndaj Netanyahut si “një ndjekje penale politike dhe të pajustifikuar”.
Ai shton se pas “sukseseve të arritura” në kthimin e pengjeve dhe në ruajtjen e paqes në rajon, “është koha që Izraeli të bashkohet duke falur Bibin dhe duke i dhënë fund këtij procesi ligjor”.
Nga ana tjetër, Presidenca e Izraelit ka reaguar duke theksuar se çdo kërkesë për falje duhet të kalojë nëpër procedurat zyrtare. “Presidenti Herzog ka respekt të madh për Donald Trump dhe vlerëson kontributin e tij në sigurinë e Izraelit, por çdo kërkesë për falje duhet të bëhet sipas ligjit,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Benjamin Netanyahu është në proces gjyqësor që nga viti 2020, nën akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre çështje të ndara për korrupsion. Deri tani, Presidenti Herzog nuk ka marrë asnjë vendim për kërkesën e bërë nga ish-presidenti amerikan.