Nga Elda Bajraktari:
Shumë kompani sot po përballen me rënie të performancës, ekipe të paqëndrueshme, punonjës të paangazhuar dhe një cikël të pandalshëm rekrutimesh dhe largimesh.
Dhe ndonëse simptomat duken të reja, problemi nuk është i tillë. Kompanitë po përjetojnë sot efektin e akumuluar të viteve, madje dekadave, të mosdhënies së të njëjtit nivel vëmendjeje, kujdesi dhe investimi ndaj njerëzve, ashtu siç u japin produkteve, klientëve dhe financave të tyre.
Çdo entitet — qoftë biznes, institucion apo organizatë — ndërtohet mbi katër shtylla:
-Produktin ose shërbimin që ofron
-Klientët që arrin
-Financat që menaxhon
-Njerëzit që e bëjnë të mundur
Nga përvoja ime, tre shtyllat e para — produkti/shërbimi, klientët dhe financat — gjenerojnë reagim të menjëhershëm sa herë që diçka shkon keq.
Një defekt në produkt? — Reagim i menjëhershëm.
Një ankesë klienti? — Veprim i menjëhershëm korrigjues.
Një problem financiar? — Mbledhje urgjente, vendime të shpejta.
Këto reagime të menjëhershme bëhen për të shmangur efektin e menjëhershëm negativ që vjen nga dështimi i produktit/shërbimit, klientëve apo financave.
Fatkeqësisht, “dështimi” i njerëzve nuk jep ndikim të menjëhershëm në performancën e një entiteti — dhe pikërisht për këtë arsye reagimet ndaj tyre rrallë janë po aq urgjente ose strategjike.
🔍 Shtylla e njerëzve është nënvlerësuar!
Në vend të kujdesit proaktiv, investimit afatgjatë dhe zhvillimit të vazhdueshëm, njerëzit shpesh marrin vetëm aq sa është “e nevojshme për të funksionuar” në rastet më të mira dhe “çfarëdo që ecën për momentin” në rastet më të zakonshme.
Nënvlerësimi i shtyllës së njerëzve ka sjellë pasoja që duken të pamundura të përmbysen, si:
Qarkullim i lartë i stafit, lodhje nga rekrutimet
angazhim i ulët, mungesë besimi.
Kulturë e brishtë e brendshme, menaxherë të papërgatitur.
Djegie profesionale (burnout) në Burimet Njerëzore.
Dëmtim i reputacionit si punëdhënës.
⚠️ Burimet Njerëzore (HR) thirren të rregullojnë gjithçka
Për vite me radhë, shumë organizata e kanë trajtuar — dhe ende e trajtojnë — BNj-në si një funksion që: dokumenton, proceson, rekruton, paguan, dhe “merret me problemet”.
Vetëm në momentet e krizës i drejtohen HR-së, duke pritur prej saj:
-riparim të kulturës
-strategji mbajtjeje të stafit
-zhvillim lidershipi
-rikthim të angazhimit
-ndërmjetësim konfliktesh
-ridizenjime organizative
-transformim të fuqisë punëtore
Kjo pritshmëri nuk është as e drejtë, as realiste!!!
HR nuk mund të rregullojë atë në të cilën lidershipi nuk ka investuar kurrë.
HR nuk mund të rikthejë atë që sistemi nuk e ka mbrojtur.
HR nuk mund të riparojë për gjashtë muaj atë që është dëmtuar për gjashtë vjet.
HR ka qenë gjithmonë shtylla që udhëzon, paralajmëron, këshillon dhe dizajnon — jo shtylla që amortizon neglizhencën e dekadave.
HR nuk është problemi. HR është pasqyra.
Mësimi:
Organizatat duhet të pranojnë një të vërtetë themelore:
Të kujdesesh për njerëzit nuk do të thotë të jesh “i butë”. Do të thotë t’u japësh njerëzve të njëjtin nivel vëmendjeje, kujdesi dhe investimi strategjik si produkteve që shesin, klientëve që u shërbejnë dhe financave që mbrojnë.
Vetëm atëherë ato mund të krijojnë vende pune ku njerëzit zgjedhin të bashkohen, të qëndrojnë dhe të punojnë me shpirt.