Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë mandatin Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje për të formuar Qeverinë e re. Sipas Kushtetutës, Konjufca ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e kabinetit në Kuvend, i cili duhet të sigurojë të paktën 61 vota për t’u miratuar. Propozimi për mandatimin e tij është bërë nga Vetëvendosje, partia e drejtuar nga Albin Kurti.
Glauk Konjufca, është një nga figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, ka një karrierë të gjatë në jetën politike dhe akademike të vendit. I lindur më 25 korrik 1981, Konjufca ka mbajtur disa poste të rëndësishme, përfshirë atë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Ministrit të Punëve të Jashtme.
Ai u zgjodh për herë të parë kryetar i Kuvendit në dhjetor 2019, me 75 vota pro, pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 6 tetorit, me propozim të Albin Kurtit. Brenda lëvizjes, Konjufca mban postin e nënkryetarit, ndërsa më herët ka drejtuar komitetin për politikë dhe ka qenë kryeredaktor i gazetës “Vetëvendosje!”.
Përpara përfshirjes në politikë, ai ka punuar si zëvendësdrejtor i Qendrës për të Drejtat në Universitetin e Prishtinës nga viti 2005 deri në 2010, duke u angazhuar në çështje arsimore dhe shoqërore.