Policia e Shtetit ka prezantuar një paketë masash të reja sigurie që do të nisin zbatimin nga e hëna, me hapjen e vitit të ri shkollor. Qëllimi është garantimi i rendit dhe mbrojtja e nxënësve gjatë procesit mësimor.
Sipas drejtorit të Rendit Publik, Agron Çeli, nxënësit që dyshohet se mund të mbajnë sende të kundërligjshme do të kontrollohen që në hyrje nga rojet e shkollës dhe oficerët e sigurisë, në prani të stafit pedagogjik dhe nën mbikëqyrjen e policisë.
Një tjetër masë është zbatimi i perimetrit të sigurisë përreth shkollave. Në bashkëpunim me institucionet e tjera, do të mbyllen ose largohen lokalet dhe pikat e shitjes që tregtojnë pije alkoolike apo ushqime të skaduara, të cilat shpesh shndërrohen në vende grumbullimi për persona me precedent penal.
Policia ka njoftuar gjithashtu shtim të efektivëve gjatë gjithë vitit shkollor, si edhe kontrolle të vazhdueshme nga Policia Rrugore për automjetet që transportojnë nxënësit, përfshirë testet e alkoolit, verifikimin teknik dhe respektimin e rregullave të transportit.