Ngrohja e planetit po përshpejtohet me ritme alarmante. Kush rrezikon më tepër?

Ngrohja e planetit po përshpejtohet me ritme alarmante. Një studim i ri paralajmëron se temperatura mesatare globale po rritet me 0.27°C për dekadë, gati 50% më shpejt se në vitet ’90, ndërsa vitet 2023, 2024 dhe 2025 pritet të jenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë.

Sipas ekspertëve, Bota do të kalojë kufirin kritik prej 1.5°C rreth vitit 2030, çka do të sjellë pasoja të pakthyeshme për ekosistemet dhe jetën njerëzore. Deri më tani, planeti është ngrohur me 1.3–1.4°C krahasuar me periudhën paraindustriale.

Ndërkohë, niveli i detit po rritet më shpejt se kurrë – rreth 4.5 mm në vit, krahasuar me 1.85 mm që nga fillimi i shekullit të kaluar.

Në shumë zona të botës po shihen shenja alarmante:

Koralet tropikale po zhduken nga valët e nxehtësisë detare.

Pylli i Amazonës rrezikon të shndërrohet në savanë për shkak të shpyllëzimit dhe ngrohjes.

Shtresat e akullit në Groenlandë dhe Antarktidë po shkrihen me ritme rekord, duke rrezikuar ndryshime të mëdha në qarkullimin oqeanik dhe klimën evropiane.

Raporti i fundit për gjendjen e zjarreve tregon se midis marsit 2024 dhe shkurtit 2025 janë djegur rreth 3.7 milionë km², një sipërfaqe sa India dhe Norvegjia bashkë. Zjarret kanë prodhuar emetime rekord të CO₂ për shkak të djegies së pyjeve me dendësi të lartë karboni.

Pasojat njerëzore janë po aq shqetësuese. Agjencitë e OKB-së vlerësojnë se gjysma e popullsisë së botës tashmë ndjen ndikimin e drejtpërdrejtë të nxehtësisë, me ulje të produktivitetit dhe humbje ekonomike që kalojnë 1 trilion dollarë në vit. Vetëm gjatë verës së kaluar, mbi 62 mijë persona humbën jetën në Evropë nga temperaturat ekstreme.

Shkencëtarët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente për të ulur emetimet dhe për të mbrojtur ekosistemet, planeti po shkon drejt një pike kthese pa kthim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *