“Nuk dua takim të kotë”, anulohet takimi Trump – Putin

Plani për një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Budapest duket se nuk do të realizohet në të ardhmen e afërt. Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk ka plane për një takim të tillë, ndërsa Trump vetë tha se nuk dëshiron të humbasë kohë me një përballje të kotë.

Ai theksoi se dallimet kryesore mes propozimeve amerikane dhe ruse për paqen, veçanërisht refuzimi i Moskës për të pushuar luftën përgjatë vijës aktuale të frontit, kanë minuar shanset për një samit. Takimi i tyre i fundit në Alaska nuk prodhoi rezultate konkrete.

Një diplomat europian për Reuters shtoi se Rusia ka kërkuar më shumë se ç’duhet, gjë që e bëri të qartë se një marrëveshje nuk ishte e mundur për Trumpin në Budapest. Edhe takimi përgatitor mes sekretarit amerikan të shtetit Marko Rubio dhe ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov u pezullua.

Trump ka dhënë përkrahje për një propozim të mbështetur nga Kievi dhe liderët europianë për të ngrirë konfliktin në vijën aktuale të frontit, por Moska e ka refuzuar, duke kërkuar të kontrollojë të gjithë rajonin e Donbas. Lavrov deklaroi se një zgjidhje e tillë nuk do të çonte drejt një paqeje afatgjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *