Papa Françesku është shtruar këtë mëngjes në spitalin Policlinico Agostino Gemelli për shkak të bronkitit dhe vështirësive me frymëmarrjen. Sipas informacioneve nga mediat italiane, ai është pranuar në spital pas orës 11:30, pas një dite të ngarkuar pune dhe seancash në Casa Santa Marta.
Zyra e Shtypit e Vatikanit njoftoi se Papa do të bëjë disa analiza diagnostikuese dhe do të vazhdojë trajtimin për bronkitin. “Këtë mëngjes, pas përfundimit të audiencës, Papa Françesku është shtruar në Policlinico Agostino Gemelli për analizat e nevojshme dhe për të vijuar trajtimin mjekësor,” u tha në deklaratën e Vatikanit.
Analizat e para do të kryhen brenda disa orëve nga shtrimi në spital, dhe, siç ka ndodhur edhe më herët, Papa do të qëndrojë në katin e dhjetë të spitalit për monitorim dhe kujdes mjekësor.