Vendi ynë sot do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Vranësirat do të jenë të shpeshta, nga mesatare deri të dendura, duke u alternuar herë pas here me intervale me kthjellime. Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të ditës dhe do të shtrihen pothuajse në të gjithë territorin, kryesisht me intensitet të ulët, por lokalisht edhe mesatar deri në mëngjes.
Gjatë ditës, reshjet do të vazhdojnë në mënyrë të ndërprerë, veçanërisht në ultësirën perëndimore, ku nuk përjashtohen rrebeshet e shkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në zonat malore të Alpeve dhe në verilindje–lindje, mbi kuotën 800–900 m, priten reshje të lehta dëbore, ndërsa në Alpe mund të ketë periudha me stuhi dëbore.
Era do të fryjë nga verilindja–juglindja me shpejtësi rreth 7 m/s, ndërsa në bregdet dhe në zonat luginore herë pas here do të arrijë deri në 18 m/s.