Parlamenti kroat ka miratuar rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për herë të parë që prej vitit 2008. Vendimi u mor me shumicë dërrmuese votash, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen kombëtare përballë tensioneve dhe konflikteve globale, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Po përballemi me një rritje të llojeve të ndryshme të kërcënimeve, që kërkojnë veprim të shpejtë dhe efektiv nga komuniteti,” deklaroi Ministri i Mbrojtjes, Ivan Anusiç.
Sipas planit të ri, rreth 18,000 burra do të rekrutohen çdo vit për trajnim dy mujor, sapo të mbushin 18 vjeç, ndërsa gratë do të jenë të përjashtuara. Programi pritet të nisë nga viti i ardhshëm.
Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kroaci ishte pezulluar në vitin 2008, një vit para anëtarësimit të vendit në NATO. Aktualisht, një numër i kufizuar vendesh europiane e ruajnë këtë sistem, ndërsa shumica kanë kaluar në forca të armatosura profesionale.