Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, duke siguruar 49.74 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në këto shifra nuk përfshihen ende votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe ato nga diaspora.
Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, e cilësoi rezultatin si fitore të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media, ai theksoi se verdikti i zgjedhjeve e bën të domosdoshëm ecjen përpara pa vonesa drejt formimit të institucioneve të reja.
Kurti kërkoi që procesi i certifikimit të rezultateve të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të nisë krijimi i institucioneve dhe vazhdimi i projekteve qeverisëse. Ai e quajti këtë rezultat “fitoren më të madhe në historinë e vendit”.
Po ashtu, kreu i LVV-së u bëri thirrje edhe partive të ish-opozitës që të bashkëpunojnë në legjislaturën e dhjetë, veçanërisht për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe çështjeve me interes shtetëror.