Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, në pronësi të shtetasit T.Q., i dyshuar për pastrim parash të përfituara nga veprimtari kriminale.
Sekuestrimi u bë në kuadër të një hetimi të nisur në vitin 2023, pas referimit nga Policia e Vlorës. Me vendim të gjykatës, masa e sekuestros preventive përfshin një sërë pronash të paluajtshme e të luajtshme të regjistruara në emër të T.Q. dhe personave të lidhur me të.
Në listë përfshihen apartamente, toka, njësi tregtare, vende parkimi në Vlorë e Tiranë, si dhe dy automjete. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur origjinën e fondeve, pasi dyshohet se pasuritë janë blerë me para të përfituara në mënyrë të paligjshme.