Koreja e Veriut pritet të hapë më 1 korrik resortin bregdetar Wonsan Kalma, një projekt luksoz në bregun lindor të vendit, të cilin udhëheqësi Kim Jong Un e sheh si mundësi për të zhvilluar turizmin në regjimin e izoluar komunist. Resorti, i planifikuar për përfundim që prej gjashtë vitesh, do të hapet fillimisht për turistët vendas, ndërsa nuk ka ende një datë për vizitorët e huaj.
Resorti është ndërtuar në Wonsan, një qytet i rëndësishëm për elitën verikoreano ku Kim Jong Un ka kaluar pjesë të fëmijërisë. Zona njihej më parë si vend testimesh raketash, por është transformuar në një qendër luksi me hotele, restorante, qendra tregtare, një park ujor dhe një vijë bregdetare 4 kilometra të gjatë. Sipas mediave shtetërore, resorti mund të presë deri në 20,000 vizitorë.
Megjithëse Koreja e Veriut përballet me varfëri të thellë dhe është nën sanksione të shumta për programin bërthamor, regjimi vijon të investojë në projekte që përforcojnë kultin e familjes Kim dhe imazhin e vendit. Ekspertët ndërkombëtarë e shohin resortin si një përpjekje të re për të siguruar të ardhura përmes turizmit, veçanërisht nga vendet mike si Kina dhe Rusia, të vetmet burime të qëndrueshme turistësh për Phenianin.